Një tender i zhvilluar nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), e drejtuar nga Mirlinda Karçanaj, ka ngritur dyshime të forta mbi mënyrën e përzgjedhjes së fituesit dhe transparencën e gjithë procesit të prokurimit.

A po gjallërohen “Të Fortët” dhe grupet kriminale në prag të zgjedhjeve për të ndihmuar Ramën për herë të fundit?

Ky tender kishte për objekt “Përmirësimin e sistemit financiar dhe inventarit për Policinë e Shtetit”, një projekt i rëndësishëm për modernizimin e administrimit të financave dhe logjistikës së policisë. Fondi limit i përcaktuar për këtë procedurë ishte 160,390,000 lekë pa TVSH (rreth 1.9 miliardë lekë të vjetra me TVSH), një vlerë e konsiderueshme për një investim të tillë.

Sipas procedurës, në garë morën pjesë dy kompani: “COMMUNICATION PROGRESS” dhe një tjetër kompani. Për habi, fituese u shpall pikërisht kompania “COMMUNICATION PROGRESS”, e cila kishte dhënë ofertën më të lartë prej 148,900,000 lekë pa TVSH (rreth 1.8 miliardë lekë të vjetra me TVSH). Kjo vlerë përbën 92.8% të fondit limit, një tregues që tenderi mund të jetë formuluar në mënyrë të tillë që të mos krijonte hapësirë për një konkurrencë të drejtë.

Diferenca mes ofertave të dy kompanive ishte rreth 400 milionë lekë të vjetra me TVSH, një shifër që e bën edhe më të dyshimtë procesin e përzgjedhjes. Kjo ngre pikëpyetje të mëdha nëse tenderi është zhvilluar me një fitues të paracaktuar dhe nëse ka pasur një garë të vërtetë mes konkurrentëve.

Ky rast është vetëm një ndër shumë tenderë të tjerë që kanë ngritur dyshime mbi mungesën e transparencës dhe manipulimin e garave publike. Në Shqipëri, raste të tilla janë bërë të zakonshme, ku tenderët publikë shpesh fitohen nga kompani të favorizuara, duke minuar konkurrencën e ndershme dhe besimin e publikut në institucionet shtetërore.