Siç duhej të ndodhte, deputetja e Partisë Socialiste dhe Kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka, u thirr të hënën në SPAK, në kuadër të hetimeve për një nga çështjet më të bujshme të korrupsionit dhe shpërdorimit të pushtetit në Shqipëri. Dokumentet e zbardhura nga dosja voluminoze e Prokurorisë së Posaçme tregojnë se Bushka ka luajtur një rol kyç në përpjekjet për të penguar hetimet e SPAK-ut ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe rrjetit të tij të ngushtë.
Sipas burimeve nga hetimi, Bushka është cilësuar si një element tejet i rrezikshëm për vijimin e çështjes, pasi ka përdorur ndikimin e saj për të minuar procesin dhe për të ushtruar presion mbi dëshmitarët kyç. Dokumentet e paraqitura në Gjykatën Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) flasin për një ndërhyrje sistematike të saj për të penguar zbardhjen e fakteve që ndërlidhen me shpërdorimin e pushtetit dhe vjedhjet masive të fondeve publike.
“Ndarja e pushteteve” në tavolinat e Shallvareve
Influenca e Bushkës në drejtësinë shqiptare nuk është e panjohur. Për vite me radhë, si kryetare e Komisionit të Ligjeve, ajo ka pasur një rol kyç në proceset e llogaridhënies së institucioneve të drejtësisë, duke përfshirë Inspektorin e Lartë të Drejtësisë (ILD) dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor (KLGJ). Por ajo që e bën edhe më alarmant këtë ndikim është fakti se këto marrëdhënie jo gjithmonë janë zhvilluar brenda kornizës institucionale.
Në një foto , Bushka shihet në një takim joformal me Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, Artur Metani, dhe ish-kryetaren e KLGJ-së, Naureda Llagami, në një lokal pranë zonës së Shallvareve në Tiranë.
Takimi zhvillohet në një restorant të njohur, i menaxhuar nga një eksponent i Partisë Socialiste, ku personazhet kryesore të drejtësisë dhe politikës shihen në shoqëri të ngushtë, në një ambient larg formateve zyrtare, mes verërave dhe ushqimit të rafinuar.

Çfarë fshihet pas këtij takimi?
Pyetja që lind natyrshëm është: A janë këto takime thjesht shoqërore, apo pjesë e një strategjie për të ndikuar në vendimmarrjen e institucioneve të drejtësisë? Përderisa raportet e Metanit dhe Llagamit në Parlament janë të natyrës formale, ky takim i kapur në foto sugjeron se marrëdhëniet mes politikës dhe drejtësisë janë shumë më të ndërlidhura sesa ç’deklarohet publikisht.
Duke pasur parasysh faktin se Bushka tani po përballet me hetime të SPAK-ut për ndërhyrjet e saj në këtë dosje, prania e saj në tryeza të tilla me figura kyçe të drejtësisë ngre dyshime serioze mbi integritetin e procesit. Këto zhvillime ngrenë pyetje të rëndësishme për të ardhmen e reformës në drejtësi dhe për kapacitetin e institucioneve për t’i rezistuar ndërhyrjeve politike.
Hetimet e SPAK-ut po afrohen gjithnjë e më shumë në rrethin e vendimmarrësve të lartë. Ndërsa arrestimi i Erion Veliajt është konsideruar vetëm si “maja e ajsbergut”, fakti që Bushka tani është në shënjestër tregon se kjo çështje mund të zbulojë një skemë shumë më të gjerë të abuzimit me pushtetin dhe kontrollit politik mbi drejtësinë.
Publik.al do të vazhdojë të ndjekë zhvillimet e kësaj dosjeje dhe të sjellë fakte të reja mbi përfshirjen e zyrtarëve të lartë në këtë skandal të paprecedentë.






