SKANDALI QË VAZHDON pavarësisht hetimeve të SPAK
Në fund të vitit 2025 pritet të përfundojë një nga kontratat më të debatueshme dhe abuzive të ndërmarra nga qeveria shqiptare: koncesioni 10-vjeçar i sterilizimit në spitale. I finalizuar në dhjetor të vitit 2015 me firmën “Sani Service”, ky koncesion nisi me një vlerë të parashikuar prej 100 milionë euro, por sot përllogaritet se ka konsumuar nga 150 deri në 160 milionë euro nga taksat e qytetarëve shqiptarë.
Sipas dokumenteve në vitin 2024 kjo kompani koncesionare ka arkëtuar 18 milionë euro, ose 3.2 milionë euro më shumë sesa në vitin 2023, kur SPAK kishte ndërmarrë hetime dhe lëshuar masa sigurie ndaj drejtuesve të këtij koncesioni.
Hetimet e SPAK dhe mungesa e kontratës origjinale
Në gusht të vitit 2023, SPAK lëshoi 8 urdhër-arreste ndaj zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe ortakëve të firmës fituese, për shpërdorim detyre, korrupsion pasiv, falsifikim dokumentesh dhe shkelje të barazisë në tendera. Hetimi zbuloi se studimi i fizibilitetit ishte fals, ndërsa kontrata origjinale mungonte në arkivën zyrtare.
Ilir Rrapaj, pronari i firmës “Investital” (që zotëron 40% të kuotave) dhe Klodian Rrjepaj, ish-zv.ministër i Shëndetësisë, ndodhen në arrest nga SPAK, ndërsa ish-ministri Ilir Beqaj është në arrest me burg. Megjithatë, ndonëse janë ndëshkuar disa “peshq të vegjël”, pagesat ndaj koncesionarit nuk janë ndalur.
Kosto të fryra dhe fitim i mistershëm
Në dokumentet e dorëzuara në QKB, firma “Sani Service” raporton një fitim prej vetëm 675 mijë euro për vitin 2024, ndërkohë që ka xhiruar 18 milionë euro dhe ka punësuar 270 punonjës në 29 qendra spitalore. Justifikimi zyrtar është se ky fitim është përdorur për rezerva dhe investime, por ekspertët dyshojnë se kostot janë fryrë në mënyrë artificiale për të shmangur tatimet reale dhe për të kanalizuar fitimin drejt konsulencave fiktive apo pagesave të dyshimta.
Sipas raportit të vetë kompanisë, gjatë vitit 2024 janë realizuar 65,266 ndërhyrje kirurgjikale dhe 100,743 paketime me avull, ndërsa gjithë aktiviteti është drejtuar nga drejtimet dhe politikat e Ministrisë së Shëndetësisë, e cila vijon të mos mbajë asnjë përgjegjësi.
Paratë nuk ndalen, përgjegjësit ende në hije
Përkundër hetimeve dhe skandaleve të publikuara, vetëm gjatë periudhës 2023-2024, qeveria shqiptare i ka kaluar firmës “Sani Service” rreth 33 milionë euro, që përbëjnë rreth një të tretën e vlerës totale të kontratës. Fakti që këto pagesa janë rritur pas arrestimeve lë të kuptohet se marrëveshjet nën dorë nuk janë ndalur dhe se “kokat” e vërteta që e mbështetën këtë koncesion abuziv në vitin 2015 vazhdojnë të mos preken.






