A është vërtet mafia italiane në zemër të Tiranës?

Gazetari Artan Hoxha  me një foto nga  kati i 23-të i hotel Plaza ka dhënë pak info mbi investigimin e gazetarëve për mafien e betonit dhe pastrimin e miliardave  në kullat e Tiranës.

Nga ku shfaqet më qartë se kudo silueta e Tiranës së re – një qytet që nuk ndalon së rrituri në lartësi, por as në dyshime – një ekip i televizionit RAI 3 po përgatit një prej atyre investigimeve të bujshme, që kur i sheh, të lënë me gojë hapur… ose të paktën kështu duan të të bëjnë të besosh.

Gazetari italian, Tommaso Mattei, bashkë me kameramanin e tij, Lorenzo, kanë ardhur për të zbuluar sesi mafia italiane dhe organizatat kriminale shqiptare po ndërtojnë së bashku një perandori të pastrimit të parave në Shqipëri.

Nga Italia në Shqipëri – “FarWest” i mafies?

Emisioni i tyre investigativ, “FarWest”, flet për një Shqipëri ku kullat e larta nuk janë veçse fasada e një rrjeti kompleks investimesh kriminale. Sipas tyre, klanet mafioze italiane – që nga ‘Ndrangheta’ e deri tek Camorra – po përdorin vendin tonë si një lavatriçe të madhe për pastrimin e miliardave të fituara nga trafiku i drogës.

Nga Italia në Shqipëri, paraja “e pistë” gjen strehë përmes ndërtimeve masive, ku pronësia e vërtetë është shpesh e fshehur pas një zinxhiri kompanish offshore. Një skemë klasike: kapitalet e errëta futen në projekte ndërtimi, duke u legalizuar si investime “të pastra”.

Po të dëgjosh këtë version të RAI 3, del se Shqipëria paska marrë stafetën e Dubait të Ballkanit – një vend ku rregullat e lojës i dikton paraja e madhe, jo shteti.

“Kazan komplet”, do të thoshte Kryeministri…

Deri këtu, duket një tjetër investigim mediatik, i zakonshëm për mediat italiane, të cilat nuk kanë kursyer kurrë etiketat e forta kur bëhet fjalë për Shqipërinë. Por a është ky një investigim i pastër? Apo një tjetër episod i luftës së perceptimeve?

Kryeministri ynë do të thoshte se këto janë përralla të “kazanit” mediatik. Një përpjekje për të baltosur Shqipërinë, që sot po bëhet më e pasur dhe më tërheqëse për investitorët e huaj. Nuk është hera e parë që një media ndërkombëtare vjen me të njëjtën fabul: “Mafia dhe politika po ndërtojnë një Eldorado të pastrimit të parave në Ballkan”.

Por kjo nuk është një fabul e re. Emisione të tjera si Le Iene, Report dhe Striscia la Notizia kanë bërë akuza të ngjashme më parë. Një Shqipëri e lidhur me mafien italiane është një narrativë që shitet mirë në Itali – por sa e vërtetë është?

Betoni që flet – Më shumë se një investigim gazetaresk?

Faktet janë kokëforta. Shqipëria është në një boom ndërtimi të pashoq. Tirana është shndërruar në një kantier gjigant, ku kullat e reja dalin nga toka më shpejt se hetimet e SPAK.

A ka para të pista në këto investime? Po, sepse Shqipëria nuk ka një mekanizëm të qartë për të verifikuar origjinën e fondeve. Por a do të thotë kjo se pas çdo ndërtimi qëndron mafia italiane? Kjo është pikëpyetja e madhe.

Nga ana tjetër, ky nuk është thjesht një investigim gazetaresk. Është një narrativë që ndikon imazhin e Shqipërisë në sytë e investitorëve të huaj. Nëse perceptimi ndërkombëtar ndërtohet mbi idenë se Tirana është bërë parajsa e mafies, atëherë shumë investitorë legjitimë do të stepen. Dhe kush përfiton nga kjo?

Nëse ka një e vërtetë të madhe në këtë histori, ajo është se Shqipëria ka nevojë për më shumë transparencë dhe rregulla të forta për kapitalin që hyn në tregun e ndërtimit. Por ka një ndryshim të madh mes kritikës legjitime dhe propagandës për klikime.

Kur të qepen, të qepen me bukë në torbë!

Nuk është hera e parë që Shqipëria kthehet në temë për mediat italiane. Dhe nuk do të jetë e fundit. Pyetja kryesore mbetet: Ky është një investigim që kërkon të vërtetën apo një tjetër prodhim mediatik që i shërben interesave të dikujt?

A është Shqipëria një oaz i mafias, apo thjesht një vend që po kalon tranzicionin e vet urbanistik dhe ekonomik? Si gjithmonë, e vërteta është diku në mes – dhe varet nga e kë  pyet.