Është publikuar fotoja e autorit që tentoi të grabiste një bankë në zonën e Delijorgjit, në Tiranë, i armatosur me kallashnikov. Sipas policisë, bëhet fjalë për shtetasin Bardhyl Fusha, 58 vjeç, i cili u arrestua menjëherë nga efektivët në vendngjarje.
Sipas të dhënave paraprake, 58-vjeçari ka hyrë në ambientet e bankës me armë automatike dhe për të frikësuar punonjësit ka qëlluar një herë në dysheme. Nga të shtënat nuk ka pasur persona të lënduar.
E gjithë ngjarja ka zgjatur vetëm pak minuta. Pasi ka marrë një shumë parash nga sporteli, autori ka tentuar të largohet nga banka, por në dalje është përballur me dy punonjës policie që ndodheshin pranë zonës.
Në momentin e përballjes, 58-vjeçari nuk ka bërë rezistencë. Ai ka ulur armën, ndërsa efektivët i janë drejtuar me thirrjen “Ndal, mos lëviz, policia”, duke i drejtuar armët e shërbimit. Një prej policëve i është afruar dhe i ka vendosur prangat, ndërsa autori qëndronte në këmbë.
Sipas burimeve, 58-vjeçari ka lënë në hyrje të filialit armën automatike dhe një çantë të zezë shpine ku ndodheshin paratë e marra, menjëherë pasi është përballur me policinë.
Në një njoftim zyrtar, Policia e Tiranës bëri me dije se rreth orës 11:15, në Rrugën e Kavajës, Bardhyl Fusha ka hyrë në ambientet e bankës me qëllim vjedhjen, duke qëlluar me armë zjarri në dysheme. Shërbimet e policisë kanë ndërhyrë menjëherë pas njoftimit dhe kanë bërë të mundur kapjen e tij në tentativë për t’u larguar.
Autori është shoqëruar në komisariat për veprime të mëtejshme procedurale, ndërsa arma e zjarrit është sekuestruar si provë materiale. Policia pritet të japë një informacion më të plotë pas përfundimit të veprimeve hetimore.







