Rama, kriptomonedhat dhe rreziku i legalizimit të pastrimit të parave
Pasi rregulloi industrinë e kanabisit dhe lojërat e fatit, Kryeministri Edi Rama po ndërton me hapa të heshtur por të qartë infrastrukturën e tregut të kriptomonedhave në Shqipëri.
Me sa duket, synimi nuk është thjesht të përqafojë teknologjinë e re, por ta përdorë atë si kanal të kontrolluar për qarkullimin e parasë së pistë në ekonomi. Ndërkohë që qytetarët arrestohen për këmbim informal të kriptovalutave, qeveria po përgatit terrenin për të legalizuar aktivitetin për një rreth të vogël të privilegjuarish.
Një drejtori e re, një axhendë e re: AI dhe kripto nën AKSHI-n e Lindës
Në korrik 2025, pranë Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) është krijuar një strukturë e re: Drejtoria e Inteligjencës Artificiale dhe Licencimit të Kriptomonedhës. Kjo drejtori nuk është thjesht teknike – por është struktura që do të vendosë se kush e merr dhe kush jo licencën për të operuar në tregun e valutave virtuale në Shqipëri.
Konkurrimet për pozicione pune në këtë drejtori kanë nisur, por ndërkohë Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) është zhveshur nga kompetencat reale. AMF do të jetë thjesht një “konsulent” për Karçanajn e cila njihet për lidhje të drejtpërdrejta me Kryeministrin dhe për rol qendror në tenderat e teknologjisë.
Mashtrimi i madh: paralajmërimet e AMF-së dhe hipokrizia institucionale
Në një kohë kur nuk është dhënë asnjë licencë e vetme për tregun e kriptovalutave, AMF shpërndan njoftime për “rreziqet e investimeve” në platformat e palicencuara, si rasti i fundit me NetherexPro. Në njoftimin e saj më 13 qershor 2025, AMF paralajmëronte qytetarët se investimi në platforma të tilla është i rrezikshëm dhe jashtë mbrojtjes ligjore.
Por ky paralajmërim është sa ironik aq edhe qesharak pasi në Shqipëri nuk ekziston asnjë ent i licencuar. Vetë AMF nuk ka dhënë asnjë licencë për platformë tregtare. Pra, çdo investim është, de facto, jashtë ligjit një realitet që qeveria e ka ndërtuar me qëllim.
Takimi misterioz me “Mbretin e Kriptove”
Më 26 nëntor 2022, Rama u takua me Changpeng Zhao, CEO i Binance – platformës më të madhe në botë për tregtimin e kriptovalutave. Zyra e Kryeministrit nuk dha asnjë njoftim, por vetë Zhao e publikoi foton dhe komentoi:
Shtytja e adoptimit të kriptove nuk ndalet kurrë.
A ishte ky takim fillimi i një marrëveshjeje më të gjerë për sjelljen e bursës së kriptovalutave në Shqipëri? Fakti që vetëm një muaj më pas Binance zhvendosi selinë në Dubai e shton dyshimin se Rama po përgatit një marrëveshje të mbyllur, ku Shqipëria do të jetë parajsa e re për tregtarët e valutave digjitale.
Ligji ekziston, por nuk zbatohet: një justifikim për kontrollin total
Ligji “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”, miratuar në maj 2020, e bën Shqipërinë vendin e tretë në Europë (pas Francës dhe Maltës) që e njeh me ligj kriptovalutën.
Tre kategori licencash janë parashikuar:
- Kategoria A: vetëm token shërbimesh dhe pagesash (20 mln lekë kapital).
- Kategoria B: përfshin edhe para FIAT dhe monedha virtuale (60 mln lekë).
- Kategoria C: për tituj digjitalë (90 mln lekë).
Por asnjë licencë nuk është dhënë. Në vend të kësaj, qeveria mban të bllokuar zbatimin e ligjit, për të mbajtur kontrollin mbi cilët “investitorë” do të përfitojnë një strategji e ngjashme me mënyrën si kontrollohen tenderat shtetërorë dhe projektet strategjike.






