
Qumështi pluhur po zëvendëson prodhimin vendas, fermerët drejt falimenti
Industria e bulmetit në Shqipëri po përjeton një transformim të heshtur, por me pasoja të rënda për fermerët dhe konsumatorët. Dy nga kompanitë më të mëdha të tregut, Lufra dhe Erzeni, akuzohen se po ndërtojnë fitimin mbi shkatërrimin e prodhimit vendas, duke favorizuar qumështin pluhur dhe vajin e palmës në kurriz të qumështit natyral.
Denoncimi që nxori skandalin në dritë
Alarmi u ngrit publikisht nga Erion Braçe, i cili publikoi denoncimin e një fermeri nga Myzeqeja. Sipas fermerit, kompania Lufra fillimisht uli ndjeshëm çmimin e grumbullimit të qumështit, ndërsa së fundmi ka refuzuar produktin me justifikimin e pranisë së aflatoksinës. Një praktikë që, sipas tij, po përdoret selektivisht për të nxjerrë fermerët nga tregu dhe për t’i çuar drejt falimentit.
Reagimi zyrtar i Lufrës u fokusua te “mbrojtja e shëndetit të konsumatorit” dhe respektimi i standardeve ligjore. Por kjo deklaratë bie ndesh me realitetin ekonomik të tregut: për kompanitë e mëdha, përdorimi i qumështit pluhur dhe vajit të palmës është shumë herë më i leverdishëm sesa blerja e qumështit të freskët nga blektorët vendas.
Çmimi bie për fermerin, rritet për konsumatorin
Një hetim i Autoriteti i Konkurrencës mbi tregun e qumështit evidentoi një paradoks shqetësues:
- çmimi i blerjes së qumështit nga fermerët është ulur;
- ndërkohë çmimi final për konsumatorin është rritur ndjeshëm.
Gjatë këtij hetimi u zbulua edhe rritja e fortë e importeve të qumështit, veçanërisht nga kompania Erzeni sh.p.k., duke forcuar dyshimet se tregu po orientohet gjithnjë e më shumë drejt lëndëve të para të importuara.
Shifra alarmante: prodhimi vendas po zhduket
Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë një rënie dramatike të blegtorisë dhe prodhimit të qumështit:
- Numri i lopëve ka rënë nga 342,683 krerë në vitin 2018 në vetëm 224,302 në vitin 2024.
- Prodhimi i qumështit të lopës ka zbritur në 745 mijë litra, nga 964 mijë litra një dekadë më parë.
- Vetëm gjatë viteve 2021–2023 janë zhdukur rreth 45 mijë krerë lopë.
Në vitin 2024 janë grumbulluar rreth 95 mijë tonë qumësht, me një rënie 6.6% krahasuar me vitin pararendës. Rënia më e madhe është shënuar te qumështi i deles (-9.7%), ndërsa qumështi i lopës ka rënë me 6.5%. Si pasojë, ka rënë ndjeshëm edhe prodhimi i djathit dhe gjalpit.
Qumësht pluhur dhe vaj palme: formula e fitimit të shpejtë
Ndërkohë që prodhimi vendas tkurret, importet po shpërthejnë:
- Importi i qumështit pluhur është rritur me 15% gjatë janar–prill 2025.
- Vetëm në këtë periudhë janë konsumuar rreth 200 mijë kg qumësht pluhur, kryesisht të importuar nga kompani si Super Milk, Lufra, AD SH-2014, ELKA SA, Alta Group, etj.
Edhe më alarmant është përdorimi masiv i vajit të palmës. Shqipëria importon rreth 3 mijë tonë vaj palme në vit, krahasuar me vetëm 380 tonë në vitin 2014. Ky përbërës, i konsideruar i dëmshëm për shëndetin, po zëvendëson yndyrnat shtazore në bulmet, brumëra dhe produkte ëmbëlsire.
Kush humbet dhe kush fiton?
Skema është e qartë:
- Fermerët vendas humbasin tregun dhe të ardhurat.
- Konsumatorët marrin produkte më të lira për industrinë, por me cilësi dhe vlera ushqyese të dyshimta.
- Kompanitë e mëdha rrisin fitimet duke zëvendësuar qumështin natyral me pluhur dhe vaj palme.






