Një tjetër krim mjedisor po ndodh në sytë e të gjithëve, por me bekimin e heshtur të pushtetit! Qytetarë të alarmuar kanë denoncuar sot shkatërrimin brutal të shtratit të lumit Shkumbin në Labinot-Fush të Elbasanit, ku kompani ndërtimi vazhdojnë të gërryejnë pa mëshirë lumin për interesa private, duke shkatërruar një pasuri të përbashkët të shqiptarëve.
Ndërsa qeveria flet pa fund për “mbrojtjen e mjedisit”, realiteti është i kundërt: skavatorët punojnë lirshëm në mes të ditës, pa frikë nga ligji, pa respekt për natyrën dhe jetën e qytetarëve. Pushteti, i kapur nga interesat e betonit, nuk lëviz as gishtin për të ndaluar këtë masakër, edhe pse mediat dhe aktivistët kanë ngritur alarmin prej kohësh.
Ku janë institucionet? Ku është Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes së Territorit dhe inspektoratet përgjegjëse? A janë këto institucione veç fasadë për të mashtruar qytetarët, ndërsa në prapaskenë firmosin leje shkatërrimi për një grusht biznesesh?
Ndërkohë që shqiptarët shohin lumenjtë e tyre të thahen e të ndoten, zyrtarët që duhet të mbrojnë natyrën janë ose të blerë, ose të paaftë, ose të papërgjegjshëm. Atyre nuk u intereson që këto gërryerje e çojnë drejt shkatërrimit tokën bujqësore, ekosistemin dhe cilësinë e ujit që ne të gjithë pijmë.
Kushdo që hesht përpara këtij krimi është bashkëpunëtor! Kompanitë që betonizojnë qytetet dhe vjedhin pasuritë natyrore nuk mund të vazhdojnë pa pasur mbështetje nga pushteti. Kjo nuk është thjesht shkatërrim mjedisor, por një akt i pastër tradhtie ndaj shqiptarëve dhe brezave që do të vijnë.
Pamjet nga Labinot-Fush janë një dëshmi tronditëse e kësaj masakre. Kush do të mbajë përgjegjësi? Kush do të ndalojë këtë krim? Apo do të presim që edhe Shkumbini të kthehet në një shtrat të thatë dhe të vdekur, si shumë lumenj të tjerë të Shqipërisë?
Videoja që një qytetar ka dërguar në redaksi është një thirrje për zgjim dhe reagim. Publikimi i saj nuk është thjesht një akt informimi, por një akt rezistence ndaj një pushteti që i ka dorëzuar burimet natyrore në duart e shkatërruesve.





