Vëllai i ish-deputetit socialist  që mori 19 mln € tender për zgjërimin e rrugës

Rrëshqitje masive bllokon aksin Librazhd–Qafë Thanë, ambulanca detyrohet të kalojë pacienten me barrelë përmes lumit

Një masiv i madh dheu dhe shkëmbinjsh u shemb paraditen e kësaj të diele në zonën e Dragostunjës, duke bllokuar plotësisht aksin kombëtar Librazhd–Qafë Thanë. Rrëshqitja e fortë e terrenit paralizoi qarkullimin e dhjetëra automjeteve në të dy drejtimet, duke krijuar radhë të gjata dhe rrezik të shtuar për udhëtarët.

Situata mori përmasa dramatike kur mes mjeteve të bllokuara ndodhej edhe një auto-ambulancë që transportonte një grua me këmbë të thyer. Për shkak të pamundësisë për të kaluar, stafi mjekësor u detyrua ta transportonte pacienten me barrelë përmes shtratit të lumit, në mënyrë që ajo të mund të dërgohej drejt Spitalit të Elbasanit për ndihmë mjekësore.

Banorët: Punimet në rrugë po e përkeqësojnë situatën

Sipas banorëve të zonës dhe shoferëve të mbetur në pritje, rrëshqitja nuk lidhet vetëm me kushtet natyrore, por edhe me ndërhyrjet e rënda në terren nga kompania A.N.K. SHPK. Kjo kompani, në pronësi të biznesmenit Agim Kola — vëllai i ish-deputetit socialist Ndue Kola — është e angazhuar në zgjerimin e këtij segmenti rrugor, pjesë e Korridori VIII.

Banorët pretendojnë se masivët e dheut dhe gurëve të zhvendosur nga punimet po hidhen drejtpërdrejt drejt lumit, duke rritur rrezikun për rrëshqitje të tjera, ndotje mjedisore dhe bllokime të përsëritura të rrugës. Sipas tyre, mungojnë masat bazë të sigurisë dhe kontrollit të stabilitetit të terrenit.

Projekt miliona euro, siguri minimale

Projekti për zgjerimin e aksit ka një fond limit prej rreth 29 milionë eurosh (me TVSH). Kritikët theksojnë se, megjithë vlerën e lartë të investimit publik, në terren nuk po zbatohen standardet e nevojshme të sigurisë për parandalimin e rrëshqitjeve dhe mbrojtjen e përdoruesve të rrugës.

Ndërkohë, dhjetëra qytetarë kanë mbetur të bllokuar për orë të tëra pa informacion zyrtar mbi kohëzgjatjen e ndërprerjes së qarkullimit apo mbi rrugët alternative. Banorët paralajmërojnë se situata mund të përkeqësohet nëse vazhdojnë reshjet apo punimet pa masa mbrojtëse shtesë.

Autoritetet rrugore dhe emergjencat civile pritet të ndërhyjnë për pastrimin e segmentit dhe rivendosjen e qarkullimit, ndërsa mbetet për t’u parë nëse do të ketë verifikim të përgjegjësive teknike për rrëshqitjen që vuri në rrezik jetën e udhëtarëve.