Përparim Cena 4 kulla deri në 30 kate në qendrën historike të Durrësit, miliona euro tendera nga Dritan Agolli i FSHZH-së

Një projekt tjetër kontrovers po zhvillohet në qendrën historike të Durrësit, shumë afër monumenteve të kulturës. Qeveria ka dhënë një super leje, për të ndërtuar ngjitur me njëra tjetrën jo 1 por plot 4 kulla, më e larta nga të cilat do të jetë plot 30 kate.

Një paradoks tepër i madh, pasi nga njëra anë promovohet historia e nga ana tjetër kjo histori betonohet, duke ngritur mbi to pallate shumëkatëshe, pa asnjë plan urbanistik. Madje, nëse do t’a shohësh projektin edhe vizualisht, duket një mori ndërtimesh ngjitur me njëra tjetrën, që përveçse ndërtuesit as nuk i shërbejnë të gjithë komunitetit.

Duke hulumtuar lejen e sapo zbardhur nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit, duket një “mal” i madh me beton, shumë afër qendrës, apo ngjitur edhe me monumentet e kulturës.

Në dokumente shkruhet se është miratuar leja e zhvillimit për objektin “Durrësi Tower, objekt banimi dhe shërbimi me 8, 17, 24 dhe 30 kate mbi tokë dhe 3 kate nëntokë me vendndodhje në Bashkinë Durrës, me subjekt zhvillues shoqërinë ‘T & xh’ sh.p.k” thuhet në dokumente. Pas kompanisë, ‘T & xh’ sh.p.k qëndron Përparim Cena nga Gllava e Tepelenës.

E njëjta firmë ka fituar miliona euro nga tenderët, kryesisht nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe këto para’ duket se po investohen në ndërtim, në kulla të larta.

Në dokumente shkruhet se zona e studimit ndodhet në Durrës, në hapësirën e Marinës, në një pozicion strategjik midis Portit dhe Sheshit Liria, përgjatë boshtit kryesor urban, Rrugës Egnatia. “Kjo vendndodhje e bën truallin një pikë lidhëse të rëndësishme mes bërthamës historike dhe hapësirës detare, duke i dhënë projektit një rol të dukshëm në strukturën e qytetit. Sheshi është i integruar në një strukturë të dendur urbane, në planin e dytë të ndërtesave të dukshme nga porti”, thuhet në dokumente.