Është zbardhur dëshmia e 18-vjeçares Natali Murati, e cila mbeti e plagosur me armë zjarri pas një vetëplagosjeje të ndodhur pak pas mesnate në ambientet e hotelit Hotel Gjuta, në zonën e Sauk.
Sipas deklarimeve të saj para hetuesve, vajza ka qenë e vetme në dhomë në momentin kur ka marrë armën dhe ka qëlluar veten, ndërsa i dashuri i saj, Erisjaldo Gjuta, ndodhej jashtë me persona të tjerë. Ajo ka pranuar gjithashtu se më herët kishte tentuar të dëmtonte veten edhe përmes konsumimit të medikamenteve.
“Kam gabuar në jetë”, mësohet të ketë deklaruar 18-vjeçarja gjatë marrjes në pyetje.
E reja është dërguar në spital nga Mirvete Rexhmati Gjuta, nëna e të dashurit të saj, e cila ka pohuar se nuk e njihte më parë vajzën. Sipas dëshmive të marra nga familjarët e pranishëm, ata kishin frikë se ngjarja mund t’u faturohej atyre, pasi tentativa për vetëvrasje ndodhi në ambientet e biznesit të tyre. Për këtë arsye, dyshohet se janë prishur provat në vendngjarje dhe është tentuar të fshihet rasti.
Në pranga janë vënë Vladimir Gjuta dhe Mirvete Rexhmati Gjuta, të akuzuar për “moskallëzim krimi” dhe “veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës”. Ndërkohë janë shpallur në kërkim Sajmir Gjuta, Elvir Gjuta dhe Erisjaldo Gjuta, ky i fundit edhe për armëmbajtje pa leje.
Nga hetimet paraprake dyshohet se, pas të shtënës, familjarët kanë pastruar vendin e ngjarjes, kanë fshehur armën dhe më pas e kanë transportuar vajzën drejt spitalit, duke tentuar ta paraqesin rastin si të ndodhur diku tjetër.
Policia bëri me dije se 18-vjeçarja ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa vijon puna për gjetjen e armës së zjarrit dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim. Materialet i janë referuar prokurorisë për veprime të mëtejshme procedurale.






