Sulmet e vazhdueshme ndaj prokurorit Olsi Dado nga media të lidhura me Erion Veliajn kanë ngritur pikëpyetje mbi motivet e vërteta pas këtij fushate të ashpër. Në qendër të kësaj përplasjeje ndodhen akuzat për korrupsion kundër kryebashkiakut të Tiranës, të cilat janë bërë objekt i një hetimi të thelluar nga SPAK.

Një sulm i organizuar për të shmangur drejtësinë?

Nga momenti kur SPAK nisi të hetojë Erion Veliajn mbi 9 akuzat për korrupsion, ka nisur një fushatë intensive për të diskredituar prokurorin që po ndjek çështjen. Media të afërta me Veliajn e kanë vënë në shënjestër Olsi Dadon, duke u përqendruar te jeta e tij akademike dhe karriera profesionale, në vend që të adresojnë akuzat konkrete ndaj kryebashkiakut. Kjo strategji nuk është e re; synimi është që të krijohet një perde tymi për të larguar vëmendjen e publikut nga fakti kryesor: hetimi për korrupsion.

A mund t’i heqë një prokuror tjetër akuzat për korrupsion ndaj Veliajt?

Në një sistem drejtësie të pavarur, asnjë prokuror nuk mund të “heqë” apo ngrejë akuza në mënyrë arbitrare, pa u bazuar në prova dhe fakte. Megjithatë, sulmet ndaj Olsi Dados mund të jenë një përpjekje për ta delegjitimuar atë dhe për të ndikuar në ecurinë e procesit hetimor. Nëse SPAK bie pre e ndërhyrjeve politike, ekziston rreziku që një prokuror tjetër të përpiqet të zbusë hetimin ose ta mbyllë çështjen me justifikime formale. Ku ishin hallkat e vetingut që e kualifikuan prokurorin Dado? Përse media e ushqyer nga korrupsioni i Veliajt nuk i gjeti këto fakte për prokurorët e Arben Ahmetajt, Ilir Metës, apo Sali Berishës! A nuk ishte Berisha që e kishte shkarkuar gjyqtaren Irena Gjoka kur ishte president? Por ky fakt dhe akuza të tjera të bëra nga Berisha dhe media pranë tij, nuk e ndryshuan masën ndaj Berishës. Pse nuk i nxirrni notat e Altin Dumanit i cili ka firmosur dosjen e Erion Veliajt?!

Ina Rama si gjyqtare e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit,  ka marrë pjesë në vendimmarrjen për shkarkimin e qindra gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke zbatuar standardet më të rrepta të integritetit profesional. Ky fakt tregon se sistemi i drejtësisë ka vendosur një standard të ri për pastrimin e institucioneve nga elementët e korruptuar. Megjithatë, media e lidhur me Veliajn nuk ka shtruar asnjë pyetje për kriteret e përdorura nga vetingu për prokurorë të tjerë që kanë hetuar ish-zyrtarë të rëndësishëm. Kjo tregon një standard të dyfishtë në raportimin dhe analizën e rasteve të hetimeve të nivelit të lartë.

Argumenti i notave dhe sulmet personale

Një nga elementët kryesorë të kësaj fushate kundër Dados është përmendja e notave të tij universitare, duke lënë të kuptohet se ai nuk ka kualifikimet e duhura për të qenë prokuror. Kjo nuk është një çështje e re në politikën shqiptare; shpesh, kur një zyrtar godet interesat e grupeve të fuqishme, fokusi zhvendoset nga puna e tij te jeta e tij private dhe akademike. Thelbi i çështjes nuk është nëse Dado ka marrë pesë apo dhjetë në fiskulturë, por nëse hetimi që ai po zhvillon është i drejtë dhe i bazuar në ligj.

Pse kjo fushatë është e rrezikshme?

Përpjekjet për të delegjitimuar prokurorët e SPAK-ut dëmtojnë besimin e publikut në drejtësi. Nëse çdo hetim serioz për korrupsion përfundon me sulme personale ndaj prokurorëve dhe presione politike, atëherë reforma në drejtësi rrezikon të mbetet vetëm në letër. Për më tepër, kjo krijon një precedent të rrezikshëm ku pushtetarët mund t’i shpëtojnë ndëshkimit duke përdorur mediat për të diskredituar ata që i hetojnë.

Gjuha agresive e Veliajt ndaj drejtësisë

Gjuha shkon përtej komunikimit institucional, pavarësisht se ai ende mban zyrtarisht postin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës. E megjithatë, ndërsa përpiqet ta portretizojë veten si viktimë të një komploti politik, paralelisht akuzon dhe fyen prokurorinë dhe gjyqësorin me epitete që shkojnë nga “zvarraniku” te “kasapi i drejtësisë”.

Sulmet frontale ndaj prokurorit dhe gjykatësit

Në statuset e tij, Veliaj ka përdorur një arsenal të tërë epitetesh. Prokurori Ols Dado është cilësuar si një “muzikant i dështuar”, “violinist mediokër”, “hajvan” “që e kanë bërë prokuror shoqet” dhe “lunatik që nuk e ka idenë se çfarë është drejtësia”. Ndërkohë, gjykatësi Erjon Bani është quajtur “thertorja e drejtësisë”, “kasap i ligjit”, “vegël qorre e politikës së vjetër” dhe “shërbëtor i turpshëm i sistemit”.

“Kolegu” im Ols Angoni as nuk e ka idenë se me kë është ngatërruar, megjithëse e quan veten Bruce Willis hajvani dhe u tregon muskujt atyre ushtarëve të BKH”, kjo frazë e përfshirë në statusin e fundit të Erion Veliajt nga qelia, mund të lexohet nga prokuroria si një kërcënim i drejtpërdrejtë i kryetarit të bashkisë së Tiranës, që sa vjen e bëhet më i ashpër ndaj prokurorit Ols Dado dhe gjykatësit Erjon Bani.

Sulmet ndaj Olsi Dados nuk janë një rastësi dhe as një betejë për meritokraci në drejtësi. Ato janë pjesë e një strategjie më të gjerë për të minuar hetimin ndaj Erion Veliajt. Pyetja që duhet të shtrojmë nuk është nëse Olsi Dado ka qenë një student i shkëlqyer, por nëse ai po kryen punën e tij si prokuror në përputhje me ligjin. Në një shoqëri ku drejtësia funksionon, vëmendja duhet të jetë mbi faktet dhe provat, jo mbi sulmet personale dhe diversionet politike.