Dr Hazis Jata
Në pesë vjet, 194 punëtorë kanë humbur jetën në vendin e punës në Shqipëri.
Mbi 38 familje në vit janë detyruar të marrin lajmin e kobshëm se një i afërm i tyre nuk do të kthehet më nga puna, jo për shkak të ndonjë sëmundjeje apo fatkeqësie natyrore, por sepse kushtet e sigurisë në vendin e punës janë aq të dobëta sa vdekja është bërë një statistikë rutinore.
Për të kuptuar sa alarmante është kjo shifër, mjafton një krahasim me Bashkimin Europian: atje, vetëm 1 në 1000 aksidente përfundon me humbje jete, ndërsa në Shqipëri ky raport është 1 në 6. Kjo nuk është më thjesht mungesë sigurie, por një dënim me vdekje i heshtur për mijëra punëtorë që çdo mëngjes dalin për të siguruar bukën e gojës dhe nuk janë të sigurt nëse do të kthehen në shtëpi.
Një sistem që mbyll sytë përpara vdekjes
Sektorët më të rrezikuar janë ndërtimi, minierat dhe industria energjetike – sektorë ku fitimi është i madh, por siguria është një detaj që shpesh lihet pas dore. Punëtorët punojnë pa masa mbrojtëse, pa trajnime dhe shpesh pa kontrata të rregullta pune, duke i lënë të pambrojtur përballë rreziqeve.
Por edhe kur ndodhin aksidentet, drejtësia shpesh dështon. Familjet e viktimave shpesh nuk denoncojnë, qoftë nga frika e hakmarrjes, nga mungesa e besimit te institucionet, apo nga fakti që punëdhënësit preferojnë ta “mbyllin” çështjen në mënyrë private me ndonjë shumë të ofruar si “ngushëllim”. Dhe kështu, vdekjet në punë mbeten pa ndëshkim, pa përgjegjës dhe pa ndryshim.
Inspektorati i Punës një institucion në letër
Në teori, Inspektorati i Punës duhet të garantojë sigurinë në vendet e punës. Në praktikë, ky institucion shpesh funksionon si një noter i pushtetit, duke e kaluar topin nga një zyrë në tjetrën dhe duke bërë inspektime që më shumë ngjajnë me vizita kortezie te bizneset. Po të ishte ndryshe, a do të kishim 194 të vdekur në pesë vjet?
E vërteta është e thjeshtë: në Shqipëri, një projekt ndërtimi është më i mbrojtur sesa një punëtor. Një vinç apo një makineri peshon më shumë sesa jeta e një minatori. Dhe qeveria, e cila pretendon se ka “reforma” për çdo sektor, nuk ka bërë asgjë për të ndalur këtë tragjedi të përditshme.
Sa duhet të vdesin që të ketë ndryshim?
Një vend që lejon që punëtorët të vriten në vendin e punës pa pasoja nuk mund të pretendojë se është europian. Nëse një fëmijë mbetet jetim sepse babai i tij humbi jetën në një kantier pa masa sigurie, ajo nuk është “aksident”, por një krim i paralajmëruar. Dhe ky krim vazhdon të përsëritet, sepse në Shqipëri, siguria në punë është një luks që as bizneset, as qeveria dhe as institucionet nuk duan të paguajnë.
Sa jetë duhet të humbasin që ky realitet të ndryshojë? Sa trupa duhet të mbulohen me dhe që të kuptohet se siguria në punë nuk është opsion, por detyrim? Pyetje të cilat për fat të keq, mbeten pa përgjigje.






