Fatura e TVSH-së dhe dështimi i subvencioneve

Qytetarët shqiptarë po e paguajnë më shtrenjtë se kushdo tjetër në Ballkan dhe madje edhe mbi shumicën e shteteve të Bashkimit Europian një produkt bazë si qumështi dhe bulmeti. Dhe përgjegjësia për këtë i takon drejtpërdrejt politikave të dështuara fiskale dhe subvencionuese të qeverisë Rama, që pas vitit 2019.

Nga më të lirat në më të shtrenjtat çmimet që u përmbysën nga TVSH-ja

Sipas të dhënave zyrtare të Eurostat, në vitin 2005 çmimet e bulmetit në Shqipëri ishin sa 88.6% e mesatares së BE-së, pra më të lira se në vendet europiane. Por kjo ndryshoi pas vitit 2020, kur qeveria Rama uli TVSH-në e kreditueshme për industrinë nga 20% në vetëm 6%, ndërsa më pas e hoqi fare në vitin 2022.

Si rezultat, Shqipëria në vitin 2024 kishte çmime për qumësht, djathë dhe vezë që ishin 31.5% më të larta se mesatarja e BE-së, duke u renditur e katërta në Europë për çmimet më të larta, pas Irlandës, Zvicrës dhe Norvegjisë. Më shtrenjtë se Greqia, Bullgaria, Italia dhe Austria. Dhe shumë më shtrenjtë se vendet e rajonit si Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi apo Serbia.

Subvencionet shqiptare? Një tallje krahasuar me rajonin

Ndërsa vendet e rajonit si Maqedonia e Veriut aplikojnë subvencione direkte për çdo litër qumështi të prodhuar, për çdo lopë të mbajtur në fermë, për viçat femra dhe madje japin bonuse për zonat e vështira, Shqipëria vazhdon të funksionojë me një skemë qesharake prej vetëm 10 mijë lekësh (95 euro) për krerë lopë, dhe naftë falas për tokat, që nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me prodhimin.

Në Maqedoni, një fermer që prodhon 6,000 litra qumësht në vit përfiton 583 euro subvencion, përveç 130 eurove për çdo lopë dhe 48.7 eurove për çdo viç femër. Kjo është një politikë mbështetëse e vërtetë, që redukton koston, rrit prodhimin dhe ul çmimet për konsumatorin.

Në Shqipëri, mungon lidhja direkte mes subvencionit dhe prodhimit. Përpunuesit nuk kanë më leverdi të blejnë qumështin nga fermeri, sepse TVSH-ja e paguar nuk kreditohet, duke e rritur çmimin e lëndës së parë. Ndërkohë konsumatori paguan më shumë.

Projektligji i ri për TVSH-në  një ndihmë e vonuar

Qeveria është duke përgatitur një projektligj për të rikthyer një skemë kompensimi me 10% të TVSH-së për fermerët, por ai pritet të hyjë në fuqi vetëm në vitin 2026. Një masë e vonuar që më shumë duket si arno mbi plagën, sesa zgjidhje reale për një krizë të shkaktuar nga vetë politika e Ramës në bujqësi.

Sipas ekspertëve, dështimi i skemës së TVSH-së së zbritshme, që dikur ndihmonte formalizimin dhe përpunimin, ka sjellë rritjen e kostove, braktisje të sektorit dhe zhdukjen e konkurrueshmërisë me rajonin dhe BE-në.

Konsumatori shqiptar paguan taksat dhe bulmetin më shtrenjtë

Në fund të ditës, është qytetari shqiptar që e paguan faturën e papërgjegjshmërisë fiskale. Qumështi, djathi dhe vezët nuk janë më produkte të përballueshme për të gjitha familjet, por një luks i përditshëm i varfërisë moderne. Dhe ndërkohë që Rama mburret me rritje pagash dhe inflacion të kontrolluar, shifra e Eurostat tregon realitetin brutal: Shqipëria paguan më shtrenjtë ushqimin se shumica e Europës.