Si po shndërrohen parqet kombëtare dhe rezervatet natyrore në projekte betoni me bekimin e qeverisë
Në skenë, Edi Rama shfaqet çdo ditë duke “çliruar hapësira publike”. Në prapaskenë, ai po thur planin e zaptimit të Zonave Natyrore të Mbrojtura me ndërtime të legalizuara nga ligje të reja dhe tendera të përzgjedhur.
Në vitin 2022, kur emëroi drejtoreshë të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura (AKZM) Daniel Pirushin,
një arkitekte, jo biologe, jo inxhiniere mjedisi Rama nuk gaboi rastësisht. Pirushi ka qenë besnike politike: ish-drejtoreshë në KKT, ku gatiten lejet e ndërtimit, dhe në Institutin e Trashëgimisë Kulturore, ku ka mbrojtur projektet e shefit.
Tenderat e “menaxhimit” që hapin rrugën e betonit
Sapo mori detyrën, me porosi të Ramës dhe VKM-ve të qeverisë, Pirushi nisi 4 tendera strategjikë për “plane të integruara menaxhimi”, që në praktikë janë harta për ndërtime brenda zonave të mbrojtura.
1. Laguna e Karavastasë gati për shndërrim
- Objekti: Hartimi i planit të integruar për Parkun Kombëtar Divjakë–Karavasta (VKM nr. 59, Aneks 4).
- Fondi: 9,53 milionë lekë pa TVSH.
- Fitues: Bashkimi “Arkimade” sh.p.k & “Zenit & CO” sh.p.k, të lidhur me “Abi Cons” të Getian Sulës, të njohur për kthimin e kodrave të gjelbra të Tiranës në rezidenca betoni.
- Shënim: VKM-ja e 2022 rriti 20% sipërfaqen e lejuar për ndërtim pas ndryshimeve të ligjit në 2024.
2. Parku Kombëtar i Llogarasë
- Fitues: “Tualant” sh.p.k, pronare Ditikia Qatipi.
- Fondi: 9,36 milionë lekë pa TVSH.
- Objekti: VKM nr. 59, Aneks 7 – plan menaxhimi për Llogaranë.
3. Laguna “Kune–Vain”
- Fitues: “Gjeokonsult & CO” sh.p.k, kompani e akuzuar nga KLSH për certifikim punimesh të pakryera në rrugën Kardhiq–Delvinë.
- Fondi: 9,48 milionë lekë pa TVSH.
- Objekti: VKM nr. 59, Aneks 16 – plan menaxhimi për rezervatin Kune-Vain-Tale-Patok-Fushëkuqe-Ishëm.
4. Parku Natyror Qafë Shtamë
- Fitues: po “Gjeokonsult & CO”.
- Fondi: 9,43 milionë lekë pa TVSH.
- Objekti: VKM nr. 60, Aneks 5 – plan menaxhimi për Qafë Shtamën.
Në të gjitha këto procedura, konkurrojnë pothuajse të njëjtat kompani, me oferta të afërta, duke lënë dyshime për formalitet gare dhe paracaktim fituesish.
Vendimi i qeverisë i vitit 2022 ka zgjeruar sipërfaqen e zonës së mbrojtur, dhe rrjedhimisht, është rritur 20% i sipërfaqes që lejohet për ndërtim në bazë të ligjit të vitit 2024. E thamë më sipër se Rama është largpamës për këto gjëra.
Për këtë projekt është dhënë fondi limit 9,536,416.6 lekë pa TVSH në total, vënë në dispozicion nga të ardhurat e AKZM-së.
Fituesi i kontratës me kohëzgjatje 9 muaj është shpallur më 27 qershor 2025, bashkimi i dy studiove “Arkimade” sh.p.k & “Zenit & CO” shpk. Kujtojmë se kompania “Zenit&Co” mbështetet nga “Abi Cons” pasi janë partner biznesi. Qysh nga viti 2018, këto dy subjekte kanë krijuar ZMA, që është koncesioni i mirëmbajtjes së shkollave në Tiranë, dhënë nga Erion Veliaj.

Në këtë tender janë paraqitur edhe “Lurimi” shpk, “Gjeokonsult & CO” shpk, “Infratech” shpk, “Xhet” shpk “C.E.C Group” shpk, “Taulant” shpk. Megjithatë pjesëmarrja duket formale pasi kontratat duken të paracaktuara. Është i njëjti grup studiosh që bëjnë oferta të përafërta për të gjitha kontratat e kësaj agjencie. Tenderi tjetër ka në qendër të tij Parkun Natyror Kombëtar të Llogarasë. Këtë kontratë e ka fituar kompania “Tualant” sh.p.k me pronare Ditikia Qatipin.
Objekti i kontratës është “Hartimi i planit të integruar të menaxhimit: Parku Kombëtar Llogara, VKM nr. 59, datë 26.01.2022, Aneks 7”. Fondi limit i caktuar për këtë tender është 9,362,222 lekë pa TVSH.

Edhe Laguna “Kune Vain” është vënë në qendër të interesit për ndërtime. AKZM ka shpallur fituese studion “Gjeokonsult & CO” sh.p.k për marrëveshjes kuadër: “Hartimi i planit të integruar të menaxhimit: Rezervati Natyror i Menaxhuar Kune-Vain-Tale-Patok-Fushëkuqe-Ishëm”, Aneks 16” me fondin limit 9,480, lekë pa TVSH.

Kjo studio është e raportuar nga KLSH si mbikëqyrëse punimesh që vulos vjedhjen e fondeve nga kompanitë e ndërtimit. Kompania është themeluar nga Hamit Mustafa dhe më pas ia kaloi me letra të birit.
Vjedhja është dokumentuar nga një raport i Kontrollit të Shtetit për adutimin e veprimtarisë së ARRSH-së, duke përfshirë edhe rrugën Kardhiq-Delvinë.
Hamit Mustafa dhe Kujtim Çela, sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, kanë certifikuar punime të pakryera në lotet 4, 5 dhe 6 të rrugës Kardhiq-Delvinë
Certifikimi i punimeve të pakryera është bërë për llogari të ndërtuesve Arben Goga, Bashkim Ramaj dhe Pëllumb Mustafa, të cilët kanë marrë paratë për lotin 6, për Sadik dhe Idajet Ismailaj që kanë marrë fondet për lotin 5 si dhe për Ergest Pazën dhe ortakët e tij, të cilët kanë marrë paratë për lotin 4.
Dhe për këto merita, drejtoresha e AKZM i ka dhënë kompanisë Gjeokonsult & CO edhe kontratën për planin e Qafë Shtamës.
Bëhet fjalë për tenderin me objekt “Hartimi i planit të integruar të menaxhimit: Parku Natyror Qafshtamë, VKM nr. 60, datë 26.01.2022, Aneksi 5”. Fondi limit i caktuar për këtë qëllim është 9,431,777.7 lekë pa TVSH në total, vënë në dispozicion nga të ardhurat e AKZM-së.

Ligji që zhduku mbrojtjen
Në vitin 2024, me shumicë absolute, mazhoranca ndryshoi Ligjin për Zonat e Mbrojtura. Tani bashkitë mund të “menaxhojnë” deri në 20% të territorit të zonave të mbrojtura – përfshirë lejet për projekte turistike dhe infrastrukturore të miratuara nga KKT dhe Ministria e Turizmit.
Deputetët e paraqitën si masë “kundër shpopullimit”, por ekspertët e mjedisit e cilësuan një akt shkatërrues që i hap rrugë betonit në Karavasta, Nartë, Llogara, Kune-Vain e deri në zonat malore.







