Publikon shtesën e lejes për 1.5 milionë m2

Qeveria i ka dalë zyrtarisht në mbrojtje biznesmenit Bashkim Ulaj, për resortin që po tenton të ndërtojë në zonën e Baks Rrjollit, në afërsi të Velipojës.

Që prej asaj kohe, e deri në ditët apo orët e fundit, banorët e zonës nuk janë ndalur së protestuari, me të gjitha format, paqësore në zonë, përballë SPAK-ut në Tiranës apo edhe me kallëzime penale. Ata kanë fituar edhe një vendim gjykate, por sërish biznesmeni as do t’ia dije, teksa krahas mbrojtjes policore, ka shtuar radhët edhe me polici private.

Ndërkohë, në gjithë këtë gjullurdi në zonë dhe jo vetëm, teksa edhe opozita përtace as e ka marrë mundimin për ta kundërshtuar apo për t’i dalë në krah banorëve, ja ku vjen një vendim i paprecedentë. Në një kohë që banorët po përleshen me ata që po i zaptojnë pronën, Kryeministria, nëpërmjet KKTU-së, ka publikuar në faqen e vetë zyrtare një shtesë leje ndërtimi.

Një vendim kurajoz, nga kushdo që e ka marrë, pasi në këtë mënyrë minon të gjithë procesin dhe i hedh akoma më shumë benzinë zjarrit. Si mund të deklarojë KKTU-ja e firma ndërtuese ka lidhur marrëveshje me një individ? Çfarë tagri ka ky organ që të vendosë se kujt i takon prona? Përse nuk e publikon edhe vendimin e gjykatës së Apelit?

E paprecedentë, qeveria i del në mbrojtje Bashkim Ulajt për

Faksimile: Shtesa e lejes së ndërtimit të publikuar nga KKTU-ja në faqen e saj zyrtare në internet

Media ka vijuar të investigojë këtë aferë, e cila bie shumë erë dhe me një të rënë të lapsit, apo edhe me kulisa nga pas, po tjetërson një sipërfaqe të stërmadhe prone prej 1.5 milionë metra katrorësh. Kaq “luftë” sa po bëjnë forcat e policisë, s’e kanë bërë as për të mbrojtur institucionet kushtetuese, apo jetën e personave të pafajshëm.

Sipas dokumentit të mësipërm, në datën 15 janar 2026, KKTU-ja që varet direkt nga Kryeministria, ka publikuar një dokument, të emërtuar “leje ndërtimi”, pavarësisht se edhe më parë e kishte publikuar një të tillë. Bëhet fjalë për dokumentin me numër 360\1, që i jepet kompanisë “ABA BLUE BORGO”. Emërtimi është i njëjtë dhe bën fjalë për resortin në zonën e Baks Rrjollit, teksa shkruan se afati kohor i kësaj leje është 60 muaj.

Më pas publikon të dhëna për investimin, teksa shton se sipërfaqja e përgjithshme e truallit për zhvillim është 1.459.841,0 m². Sipas saj, do të bëhen disa struktura deri në 10 kate. Më pas jep detaje, që në të kaluarën as ka marrë guximin për t’i publikuar.

“Kontratë sipërmarrje, e datës 30 tetor 2024, lidhur mes pronarit Fatmir Shpellzaj dhe sipërmarrësit ‘Gener 2’ me objekt përcaktimin e kushteve për zhvillimin e pronës së porositësit prej 1.171.946 m2. Për zbatimin nga sipërmarrësi me shpenzimet e rij dhe në përputhje me planet urbanistike si dhe kushtet e bashkëpronësisë mes pronarit dhe sipërmarrësit”, thuhet në dokument.