23 shtator 2025 – Publik.al
Gjashtë kompani mediatike do të kompensohen nga qeveria me 5.1 milionë euro për lirimin e vonuar të frekuencave 700 MHz, një proces i cili ka sjellë kosto të dyfishta për taksapaguesit.
Kompensimi për gjashtë operatorë kombëtarë
Projektligji i ri “Për lirimin e frekuencave të Digital Dividentit Dy (DD2)”, i dorëzuar për konsultim publik, parashikon që fondi i kompensimit të ndahet mes operatorëve të rrjeteve numerike kombëtare: RTSH, TV Klan, Top Channel, Digitalb, ADTN dhe Media Vizion.
Sipas draftit, pagesa do të bëhet në dy këste: 50% në fillim të procesit dhe 50% në përfundim të lirimit të brezit 700 MHz.
Pse procesi është i vonuar
Frekuencat 700 MHz, të njohura si Digital Divident Dy, janë valë radio të përdorura deri më tani për transmetime televizive, por duhet të kalojnë për përdorim nga rrjetet celulare 5G. Shqipëria kishte detyrimin t’i lironte deri në qershor 2022, sipas afateve të BE-së.
Megjithatë, në vitin 2017 Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) licencoi operatorët për përdorimin e këtij brezi për 10–15 vite, ndonëse dihej se pas 2022-it frekuencat do të duhej të kalonin në shërbim të 5G-së.
Kostot për shtetin dhe qytetarët
AMA pranon se do të ndjekë të njëjtën praktikë kompensimi si në vitin 2017, kur rreth 5 milionë euro iu shpërndanë mediave private për kalimin nga transmetimi analog në atë numerik.
Gazetari dhe pedagogu Elvin Luku e cilëson këtë situatë “keqmenaxhim”, pasi operatorët po kompensohen për lirimin e një brezi frekuencash që nuk duhej t’u ishte dhënë për kaq gjatë. Ai thekson se, përveç 5.1 milionë eurove nga buxheti i shtetit, vonesa ka penguar zhvillimin e rrjeteve 5G, duke krijuar pabarazi në shërbimet për qytetarët dhe bizneset.
Argumentet e qeverisë
Në relacionin shoqërues të projektligjit, ekzekutivi e justifikon vonesën me kompleksitetin e procesit – nga çështjet teknike e ligjore, deri te koordinimi ndërkufitar. Qeveria pretendon se shpenzimet për kompensim do të rikuperohen përmes të ardhurave që do gjenerohen nga dhënia në përdorim e frekuencave 5G.
Qëllimi, sipas relacionit, është garantimi i transmetimit të pandërprerë të programeve televizive dhe mbështetja e operatorëve për kostot neto shtesë që sjell migrimi i frekuencave.
Sfida për të ardhmen
Plani Kombëtar i Frekuencave i miratuar në dhjetor 2024 parashikon që lirimi i plotë të përfundojë deri në fund të vitit 2025, duke synuar rritjen e mbulimit kombëtar nga rreth 55% aktualisht në 88%. Por mbetet për t’u parë nëse kjo skemë kompensimi dhe afatet e reja do të mbyllin përfundimisht një proces që prej vitesh rëndon mbi financat publike dhe zhvillimin e rrjeteve 5G në vend.






