📱 9200 lekë në vit për një telefonatë më të shtrenjtë se kurrë
Shqiptarët po paguajnë gjithnjë e më shumë për të komunikuar me telefon, ndërsa marrin gjithnjë e më pak në këmbim. Sipas të dhënave zyrtare të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), gjatë vitit 2024 çdo përdorues celular në Shqipëri shpenzoi mesatarisht rreth 9200 lekë, në një rritje prej 16% krahasuar me vitin paraardhës.
Kjo shifër mbështetet në treguesin ARPU (të ardhurat mesatare për përdorues), ndërkohë që është viti i katërt radhazi që kostot për përdoruesit rriten. Edhe çmimi për një minutë telefonatë u rrit ndjeshëm – 5.54 lekë për minutë, sërish 16% më shumë se në 2023.
📉 Më pak operatorë,më pak konkurrencë, më shumë abuzim
Shtrenjtimi nuk është thjesht pasojë e inflacionit. Me reduktimin e numrit të operatorëve në treg, konkurrenca ka rënë dhe klientët nuk kanë më alternativa reale. Paketat janë bërë më të shtrenjta dhe gjithnjë e më të varfra në përmbajtje – më pak minuta, më pak internet, por me çmime të larta, si për parapagesë ashtu edhe me kontratë.
Për më tepër, të dy operatorët kryesorë, Vodafone Albania dhe One Albania, kanë futur në kontrata të drejtën për të indeksuar çdo vit çmimet sipas inflacionit, duke i paraprirë çdo rritjeje të re të çmimeve.
📈 Fitime marramendëse në kurriz të konsumatorit
Ndërsa konsumatori përballet me paketa më të shtrenjta e më të dobëta, dy operatorët kryesorë celularë kanë raportuar fitime të majme për vitin 2024:
- Vodafone Albania: Fitim neto 1.2 miliardë lekë, nga 300 milionë një vit më parë.
- One Albania: Fitim neto 476 milionë lekë, nga vetëm 70 milionë në 2023.
Në total, të ardhurat e këtyre dy operatorëve nga shërbimet celulare për vitin 2024 arritën në 27.93 miliardë lekë, një rritje me 8.9% nga viti i kaluar.
📊 Të dhënat që e përforcojnë këtë realitet:
- Shqipëria ka rreth 3.4 milionë karta SIM – mesatarisht 1.4 për banor, më shumë se mesatarja europiane (1.25).
- Por vetëm 2.5 milionë janë aktive – një rënie vjetore prej 3.8%, që tregon largimin e konsumatorëve nga përdorimi real i shërbimeve.





