Një tjetër skandal është shënuar në Bashkia Mat, ku rruga Derjan–Macukull është shembur vetëm 8 muaj pas inaugurimit, duke u kthyer në rrezik serioz për qarkullimin e mjeteve. Dëmtimet e rënda në asfalt janë evidentuar pas reshjeve të shiut, duke ngritur dyshime të forta për cilësi të dobët punimesh dhe abuzim me fondet publike.
Rruga që lidh Burgajetin, Derjanin dhe Macukullin ka një gjatësi prej 8,750 metrash dhe është financuar nga Qeveria Shqiptare përmes Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Vlera e kontratës kap shifrën rreth 570 mijë euro.
Punimet janë kryer nga BAMI HOLDING Sh.p.k (në pronësi të Besnik Bamit), projektimi nga INFRAKONSULT Sh.p.k, ndërsa supervizimi nga bashkimi i operatorëve TRANSPORT HIGHWAY CONSULTING Sh.p.k (Engjëll Caka) dhe ARABEL-STUDIO Sh.p.k (në pronësi të Ana Nishkut).
Punimet nisën në dhjetor 2024 dhe parashikohej të përfundonin në prill 2025, por degradimi i menjëhershëm i rrugës ka sjellë reagime të forta nga banorët. Ata kërkojnë përgjegjësi institucionale dhe llogaridhënie nga kompanitë e përfshira, duke e cilësuar investimin si një tjetër dështim të shtrenjtë të infrastrukturës publike.






