Shqipëria ka shënuar një tjetër rekord negativ gjatë vitit 2025: importi i energjisë elektrike ka kushtuar mbi 160 milionë euro në nëntëmujorin e parë, duke u rritur me rreth 100 milionë euro krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se kjo është një nga faturat më të rënda të dekadës për buxhetin e shtetit, në një kohë kur prodhimi vendas ka pësuar rënie prej 4,6%, duke zbritur në 1.757 GWh nga 1.841 GWh që u prodhuan në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
“Tigrat” që nuk u zgjuan kurrë
Ironia më e madhe është se Shqipëria këtë vit kishte në dispozicion dy centralet lundruese “Tigrin 1” dhe “Tigrin 3”, të sjellë nga Bangladeshi, të cilat u prezantuan si “shpëtimi” për krizat energjetike.
Megjithatë, këto dy anije-TEC, të ankoruara në Gjirin e Vlorës mes kundërshtive të forta politike dhe mjedisore, nuk kanë prodhuar asnjë ditë të vetme energji.
Sipas kontratës, KESH paguan:
- 63 mijë dollarë në ditë për qira,
- 31.500 dollarë në ditë për operim dhe mirëmbajtje.
Pra, vetëm për mbajtjen e tyre “në gjumë”, Shqipëria shpenzon 94.500 dollarë në ditë – pa përfshirë kostot e përshtatjes së portit, lidhjes me rrjetin, sigurimit të objekteve apo karburantit që gjithsesi duhet ta blinte KESH.
Energjia vendase në tkurrje
Struktura e prodhimit vendas në këtë periudhë tregon një ndarje disproporcionale:
- 43,5% nga hidrocentralet private dhe koncesionare,
- 40,1% nga hidrocentralet publike,
- 16,4% nga prodhues të tjerë.
Pra, edhe pse sektori është liberalizuar dhe privatizuar në masë të madhe, vendi përsëri përfundon duke importuar energji në shifra rekord, për shkak të mungesës së kapaciteteve prodhuese të qëndrueshme dhe menaxhimit të dobët.
Shqipëria paguan qindra milionë euro për të importuar energji, ndërsa dy “gjigantët” lundrues, që duhej të garantonin siguri energjetike, qëndrojnë të ankoruar si monumente të një politike të dështuar.






