Shqipëria po përballet me një fenomen shqetësues: përdoruesit shqiptarë të drogave kanë nivelin më të lartë të konsumit të kokainës në Europë. Sipas të dhënave të Agjencisë së Drogave të Bashkimit Europian (EUDA), 41% e përdoruesve të drogave në Shqipëri kanë konsumuar kokainë, një përqindje që e tejkalon ndjeshëm mesataren e Ballkanit Perëndimor (21%) dhe asaj të Bashkimit Europian (29%). Këto të dhëna, të mbledhura nëpërmjet Anketës Europiane në Internet mbi Drogat (European Web Survey on Drugs) midis majit dhe korrikut 2024, zbulojnë një realitet alarmant mbi konsumin dhe përhapjen e substancave narkotike në vend.

Shqipëria, ndër vendet me përdorimin më të lartë të drogës

Në këtë studim morën pjesë 66,000 individë nga 31 vende, mes tyre 4,442 përdorues droge nga Ballkani Perëndimor, duke përfshirë Shqipërinë, Kosovën, Bosnjën dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë. Gjetjet tregojnë se kanabisi mbetet droga më e përhapur në Shqipëri, e përdorur nga 56% e të anketuarve, një shifër e afërt me mesataren e BE-së (59%), por më e lartë se në Ballkanin Perëndimor (42%).

Ajo që e veçon Shqipërinë nga vendet e tjera të rajonit është fakti se kokaina renditet si droga e dytë më e konsumuar pas kanabisit. Përqindja e përdoruesve shqiptarë të kokainës është dy herë më e lartë se mesatarja e Ballkanit Perëndimor dhe ndjeshëm mbi mesataren europiane. Në vendet e tjera të rajonit, droga e dytë më e përdorur janë benzodiazepinat (22%), të cilat përdoren kryesisht pa recetë, ndërsa në Shqipëri ky nivel është vetëm 5%.

Ku konsumohet kokaina dhe pse përdoret?

Të dhënat e anketimit tregojnë se kokaina konsumohet më së shumti në bare dhe klube nate, ku 75% e përdoruesve shqiptarë kanë pranuar se e marrin këtë substancë. Konsumi i kokainës është gjithashtu i lartë në shtëpi (69%), në festa apo festivale muzikore (51%), në makina (35%) dhe në hapësira publike si parqe apo natyrë (29%).

Por cilat janë motivet kryesore për përdorimin e kokainës? Sipas të anketuarve, 58% e përdorin për argëtim, 39% për të reduktuar efektet e alkoolit, ndërsa 31% për të reduktuar stresin dhe për t’u relaksuar. Gjithashtu, 24% e përdorin për të krijuar shoqëri, ndërsa 22% për të qëndruar zgjuar për periudha të gjata kohore.

Ndërkohë, kanabisi konsumohet kryesisht në ambiente të hapura, ku 67% e përdoruesve deklaruan se e përdorin në natyrë, ndërsa 61% e konsumojnë në shtëpi. Arsyeja kryesore e konsumit të kanabisit është reduktimi i stresit dhe relaksimi (70%), pasuar nga përdorimi për argëtim (58%), përmirësimi i gjumit (43%), menaxhimi i depresionit (41%) dhe arsyet shpirtërore (31%).

Droga hyn në shkolla dhe vendet e punës

Një nga gjetjet më shqetësuese të anketës është përhapja e drogës në shkolla dhe vendet e punës. 17% e të anketuarve në Shqipëri thanë se kanë konsumuar kanabis në shkollë, ndërsa 11% e përdorin në ambientet e punës.

Edhe pse me përqindje më të ulëta, kokaina po hyn në shkolla, me 4% të të anketuarve që pranojnë se e konsumojnë edhe aty. Nga ana tjetër, përdorimi i kokainës në vendin e punës është shqetësuesisht i lartë, me 20% e përdoruesve që raportojnë se kanë marrë kokainë pluhur në zyrë, dhe 17% që kanë konsumuar kokainë kristal në punë.

Përdorimi i kombinuar i drogave: një tjetër rrezik në rritje

Një tjetër trend shqetësues është përdorimi i shumëfishtë i substancave, pra kombinimi i dy ose më shumë drogave në të njëjtën kohë. Sipas të dhënave të anketës, 70% e përdoruesve të kanabisit e konsumojnë atë së bashku me cigare dhe nikotinë, ndërsa 46% e kombinojnë me alkool.

Ndërkohë, 83% e përdoruesve të kokainës e konsumojnë atë me alkool dhe cigare, ndërsa 26% e kombinojnë me kanabis. Këto kombinime rrisin ndjeshëm rrezikun për shëndetin fizik dhe mendor të përdoruesve.

Si e gjejnë shqiptarët drogën?

Një nga aspektet kyçe të këtij studimi është mënyra se si përdoruesit sigurojnë substancat narkotike. 46% e përdoruesve të kanabisit raportojnë se e marrin atë nga miqtë ose të njohurit, ndërsa 31% e blejnë përmes kontakteve direkte në telefon, email ose mesazhe.

Për kokainën, burimi kryesor i blerjes mbeten miqtë dhe shokët (68%), ndërsa 47% e sigurojnë atë nëpërmjet kontakteve të drejtpërdrejta përmes telefonit ose mesazheve.

A ka Shqipëria një emergjencë droge?

Këto të dhëna alarmante tregojnë se Shqipëria po përballet me një krizë serioze të konsumit të drogës, veçanërisht të kokainës. Shifrat e larta të përdorimit të saj në bare, shkolla dhe ambiente pune tregojnë se kjo substancë është bërë pjesë e jetës së përditshme për një kategori të gjerë përdoruesish, duke ngritur pikëpyetje mbi masat parandaluese dhe politikat e kontrollit të drogës në vend.

Me konsum dy herë më të lartë se mesatarja e rajonit dhe shumë mbi nivelin e BE-së, Shqipëria përballet me një sfidë të madhe për të kufizuar përhapjen e kokainës dhe ndikimin e saj te të rinjtë dhe grupet e rrezikuara. A ka nevojë Shqipëria për një strategji të re kundër drogës? A po bëhet mjaftueshëm për të ndaluar përhapjen e saj? Këto janë pyetje që kërkojnë përgjigje urgjente nga institucionet dhe shoqëria shqiptare.