Në vitin 2026, në një vend që pretendon reforma, investime dhe “shëndetësi europiane”, QSUT zhytet në errësirë. Jo metaforikisht. Realisht. Në Reanimacionin Qendror – repartin ku çdo sekondë ndan jetën nga vdekja – energjia elektrike ka dështuar, duke e kthyer spitalin më të madh të vendit në një skenë ankthi dhe kaosi.

Sipas denoncimeve të mbërritura në redaksinë tonë, mungesa e energjisë elektrike ka paralizuar punën në repartin më kritik të QSUT-së. Aparaturat që mbajnë gjallë pacientët, sistemet e monitorimit dhe kushtet minimale të sigurisë janë vënë jashtë funksioni. Pacientët në gjendje kritike janë nxjerrë me nxitim nga reanimacioni dhe janë shpërndarë nëpër korridore, si në një spital lufte, jo në një institucion shëndetësor kombëtar.

“Situata doli jashtë kontrollit. Ka ikur korrenti dhe pacientët po i nxjerrin nga reanimacioni nëpër korridore. Jemi në ankth të plotë sepse dritat nuk po vijnë,” – denoncon një qytetar nga vendngjarja.

Ky nuk është thjesht një “defekt teknik”. Ky është dështim shtetëror.

Si është e mundur që një spital universitar, me buxhete milionëshe, të mos ketë gjeneratorë funksionalë dhe sisteme emergjence të besueshme? Ku janë fondet? Ku janë kontratat e mirëmbajtjes? Ku janë përgjegjësit?

Në një repart ku çdo pajisje varet nga energjia elektrike, errësira nuk është bezdi – është rrezik vdekjeje. Dhe ndërkohë që pacientët nxirren në korridore, drejtoria e QSUT-së hesht. Asnjë reagim. Asnjë sqarim. Asnjë ndjesë. Asnjë përgjegjësi.

Nëse në vitin 2026 Reanimacioni Qendror mbetet pa drita, problemi nuk është vetëm energjia elektrike. Problemi është errësira totale e menaxhimit, kontrollit dhe përgjegjësisë në shëndetësinë publike.