Mirela Kumbaro i dha 5.7 miliardë lekë babait të Blendian Dalipit
Vjosa, e njohur si “lumi i fundit i egër i Evropës”, po përflitet sërish këtë herë jo për natyrën e saj të paprekur, por për një super tender qeveritar që mban aromë të fortë korrupsioni.
Në qendër të kësaj historie është ish-ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, e cila në ditët e fundit të mandatit të saj ka firmosur një kontratë gjigante me dy kompani të lidhura ngushtë me pushtetin: firmën e babait të drejtorit të OSSH, Blendian Dalipi, dhe atë të Asllan Hastoçit, biznesmen i familjarizuar me vetë kryeministrin Edi Rama.
Qendra “multifunksionale” e miliardave
Objekti i kontratës:
“Qendra multifunksionale në Luginën e Vjosës” një projekt me fond limit 569,366,644.34 lekë pa TVSH, i cili sipas Ministrisë do të promovojë “vlerat natyrore dhe kulturore” të lumit të fundit të egër në Evropë.
Por pas këtij slogani ekologjik fshihet një tjetër realitet: një pazar i bërë me kujdes politik dhe teknik, ku natyra është thjesht mbulesë për miliarda që rrjedhin në kanale të mbyllura qeveritare.
Pas reformimit të kabinetit “Rama 4”, Ministria e Turizmit u nda nga Mjedisi dhe iu bashkua Kulturës e Ekonomisë nën drejtimin e Blendi Gonxhes. Në ditët e fundit para dorëzimit të detyrës, Kumbaro merr një “njoftim” nga kompanitë fituese: nuk u dalin paratë.
Argumenti?
Sipas tyre, “në projekt kanë dalë disa detaje të reja” që kërkojnë shtesë fondi prej mbi 1 milion euro. Dhe me këtë justifikim, më 1 shtator 2025, nënshkruhet kontrata e re, duke e çuar koston totale përtej çdo parashikimi.
Letra që i dha “ok” shtesës së milionit
Më 30 korrik 2025, shoqëria mbikëqyrëse e punimeve BOE “Arabel-Studio” dhe “S&L Studio” i drejtohet ministrisë me një relacion teknik ku listohen “shkaqet që çuan në nevojën për modifikim kontrate”.
Në këtë dokument përfshihen propozimet e dy kompanive ndërtuese:
- “I.D.K – Konstruksion” sh.p.k., në pronësi të Bajram Dalipit, babait të drejtorit të OSSH-së;
- “HASTOÇI” sh.p.k., në pronësi të Asllan Hastoçit, biznesmenit që po “rivitalizon” edhe vilën qeveritare në Dajt.
Në relacion thuhet se disa vëllime punimesh paskan qenë “të nënvlerësuara”, ndërsa disa “elementë arkitektonikë” nuk janë përfshirë në preventivin fillestar nga stafi i Kumbaros.
Me pak fjalë: një justifikim teknik për një vjedhje të përgatitur politikisht.
Komisioni i ngritur nga Kumbaro, pasi “analizoi” dokumentet, i dha miratimin.
Shtesa? 108,165,768.31 lekë pa TVSH – mbi 1 milion euro më shumë.
Për krahasim: një ofertë që tejkalon 2% të fondit limit në tender refuzohet; Kumbaro nënshkroi një devijim prej mbi 20%.
Dalipët e energjisë dhe tenderëve
Familja Dalipaj është një nga më të favorizuarat në projektet e ndërtimit dhe energjisë.
Bajram Dalipi, përmes kompanisë së tij “I.D.K Konstruksion”, ka fituar tendera publikë falë pozitës së të birit, Blendian Dalipi, drejtor në OSSH dhe njeri i afërt me Belinda Ballukun.
Në koncesionin Milot–Thumanë, që i është dhënë kompanisë GENER 2 të Bashkim Ulajt me vlerë 44.6 milion euro, Dalipi është përfshirë me 1% të kapitalit përmes I.D.K Konstruksion.
Një pjesëmarrje simbolike që garanton “paqe” politike dhe akses në tendera shtetërorë.
Në të njëjtën kohë, familja zotëron edhe ABNID sh.p.k. (tashmë e kaluar formalisht tek kushërinjtë), si dhe kompani të tjera energjetike si MD Green Energy, e përfshirë në projekte fotovoltaike të miratuara direkt nga KKT me firmën e Kryeministrit.
Asllan Hastoçi, mjeshtri i tenderëve sekretë
Në anën tjetër të pazarit qëndron Asllan Hastoçi, i cili ndërkohë ka përfituar edhe një tjetër projekt të artë: rivitalizimin e Vilës Qeveritare në Dajt, me procedurë “sekrete”, pa shpallje paraprake, firmosur nga Dhurata Frashëri, e besuara e Edi Ramës për Shërbimet Qeveritare.
Ky tender, me vlerë 619,786,829 lekë pa TVSH, është vetëm njëri prej dhjetëra kontratave që Hastoçi ka marrë në dy vitet e fundit.
Në shkurt 2025, ai nënshkroi me Fondi Shqiptar i Zhvillimit një tjetër kontratë prej 422,292,719 lekësh, vetëm një ditë pasi drejtori i FSHZH-së, Dritan Agolli, ishte marrë në pyetje nga SPAK për korrupsion.
KLSH në vitet e mëparshme e ka kallëzuar penalisht kompaninë Hastoçi për falsifikim dokumentesh dhe moszbatim punimesh.
Një nga rastet më flagrante është projekti i Voskopojës, ku firma mori 300 milionë lekë për kalldrëm që nuk u hodh kurrë në terren.
E megjithatë, kjo kompani vazhdon të marrë tenderë publikë, edhe pse KLSH kishte rekomanduar përjashtimin e saj nga prokurimet për një vit.
Kur lumi bëhet kanali i parave publike
Qendra multifunksionale e Vjosës, në letër, do të shërbejë si “pikë kontakti për turistët në Përmet, Vlorë e Tepelenë”.
Në realitet, po shndërrohet në një burim të ri përfitimesh klienteliste, ku e vetmja gjë “e egër” që ka mbetur është etja për para publike.
Në fund të fundit, Vjosa s’mund të mbrohet me ceremoni dhe slogane, por me integritet dhe ndershmëri.
Ato që mungojnë prej kohësh në ministritë ku tenderat “rrjedhin” më shpejt se vetë lumi.
Publik.al
Redaksia Investigative
Tiranë, Tetor 2025






