Durrës – Banorët e Lagjes 1 në Durrës po përballen me një shqetësim serioz për shkak të ndërtimit të një pallati 12-katësh në vijën e parë të shetitores. Puna për këtë objekt ka nisur disa muaj më parë dhe vazhdon pa pushim, madje edhe në ditët e festave dhe të dielave, duke shqetësuar banorët me zhurmat e vinçave dhe ekskavatorëve që fillojnë që në orën 7 të mëngjesit.
Pa tabela dhe pa kushte teknike – Banorët dyshojnë për ligjshmërinë e ndërtimit
Një tjetër problem i rëndë i ngritur nga banorët është mungesa e një tabele informuese që duhet të shpjegojë detajet e projektit dhe lejen përkatëse. Kjo ka ngjallur dyshime të forta se ndërtimi nuk i përmbush kushtet teknike dhe ligjore.
Sipas banorëve, ndërtimi po kryhet nga biznesmeni oligark Fatmir Vualoti, i cili akuzohet se ka uzurpuar edhe një pjesë të hapësirës publike. Banorët kanë denoncuar këtë situatë tek autoritetet, përfshirë policinë dhe bashkinë, por deri më tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje apo zgjidhje konkrete.
Apeli i banorëve: “Të ndërhyhet urgjentisht!”
Një qytetar i revoltuar nga kjo situatë shprehet:
“Mirëmëngjes, ju lutem bëni diçka për komunitetin! Denoncojeni Fatmir Vualotin, pasi të paktën ditën e diel njerëzit duhet të pushojnë. Çdo ditë feste na zgjojnë që në 7 të mëngjesit dhe kemi fëmijë të vegjël. Punojnë jashtë çdo kushti teknik. Kjo ndodh tek Lagja 1, ngjitur me pistën.”
Banorët kërkojnë një reagim urgjent nga institucionet për të ndaluar këtë ndërtim që po shkatërron cilësinë e jetës së tyre dhe po cenon hapësirat publike. Ata paralajmërojnë se nëse nuk merren masa, do të organizojnë protesta për të ndaluar këtë skandal urbanistik.






