Një vendim i zbardhur nga gjykata ka nxjerrë në dritë një tjetër skandal që përfshin Bashkinë e Fierit, fondet publike dhe emrin e Ajola Xoxës, bashkëshortes së kryeministrit Edi Rama. Dokumentet dhe komunikimet e zbuluara provojnë se Bashkia Fier ka nënshkruar një kontratë për 24.650 euro me një person fizik, Ines Dani, për shërbime ligjore, por në realitet përfituesja fundore e këtyre fondeve ka qenë vetë Ajola Xoxa.

Skema e abuzimit me fondet publike

Nga vendimi gjyqësor dhe komunikimet e përfshira, del qartë se Ines Dani nuk ka pasur asnjë njohuri për kontratën e firmosur në emrin e saj. Ajo ka deklaruar vetë në komunikime se ishte me leje lindjeje dhe ka firmosur “poshtë shtëpisë”, pa ditur fare përmbajtjen e kontratës.

Kontrata e nënshkruar mes Bashkisë Fier dhe Ines Danit supozohej të kishte si objekt ekspertizën ligjore për ndryshime apo draftime ligjesh, një shërbim që duhet të ofrohej nga një individ i pavarur. Por, komunikimet zbulojnë se ajo nuk ka pasur asnjë lidhje me këtë shërbim dhe nuk ka përfituar realisht asgjë nga fondet publike të kaluara në llogarinë e saj.

Roli i Ajola Xoxës në skemë

Sipas mesazheve të administruara nga gjykata, Ines Dani nuk ka pasur asnjë kontroll mbi fondet e derdhura në emrin e saj. Në një bisedë me Adela Kondakçiun, një tjetër person i përfshirë në këtë skemë, ajo shprehet hapur se nuk ka asgjë në dorë dhe se duhet të flitet me Ajola Xoxën.

Adela Kondakçiu: Të sqarohem edhe një herë me Ajolën?
Ines Dani: Po, unë nuk kam çfarë të bëj.

Skema e fshehtë financiare e Ajola Xoxës me bashkinë e Fierit
Kjo përgjigje tregon qartë se personi që ka siguruar dhe menaxhuar kontratën ka qenë Ajola Xoxa, ndërsa Ines Dani është përdorur vetëm si një fasadë ligjore për të kaluar fondet nga Bashkia Fier.

Manipulimi i faturave dhe fondet publike

Në vazhdim të komunikimeve, Adela Kondakçiu kërkon që Ines Dani të sigurojë një statement bankar për të verifikuar nëse pagesa nga Bashkia Fier ka kaluar. Më 15 qershor 2021, ajo e njofton se fondet kanë kaluar.

Në këtë pikë, bëhet e qartë që fondet publike të paguara për “shërbime ligjore” në fakt kanë kaluar për qëllime të tjera, të cilat nuk kanë të bëjnë fare me punën që supozohej të kryhej.

Adela Kondakçiu: Keni rënë dakord si do tërhiqen fondet apo ta diskutoj unë?
Ines Dani: Diskutoje.
Adela: Ok.

Ky komunikim dëshmon se fondet nuk ishin në kontrollin e Ines Danit, por menaxhoheshin nga persona të tjerë, përfshirë Ajola Xoxën. Për të mbuluar këtë skemë, është lëshuar një faturë fiktive e datës dy javë para kalimit të fondeve, duke krijuar një mbulesë ligjore për transaksionet.

Një skemë e pastër shpërdorimi të fondeve publike

Dokumentet e zbardhura nga gjykata tregojnë qartë një skemë të organizuar të keqpërdorimit të fondeve publike, ku Bashkia Fier ka paguar për një shërbim që nuk është ofruar realisht, duke përdorur një person të tretë për të injektuar para në rrjetin e menaxhuar nga Ajola Xoxa.

Ky rast është një tjetër provë e lidhjeve të ngushta mes pushtetit lokal dhe rrjeteve të interesave të afërta me zyrtarët më të lartë të vendit. Deri më tani, skema të tilla kanë kaluar pa ndëshkim, por me ekspozimin e provave, SPAK dhe institucionet ligjzbatuese janë përballë një tjetër rasti që nuk mund të anashkalohet.