10 herë mbi mesataren e BE-së!
Tirana po kthehet në kryeqytetin e plehrave. Vetëm gjatë vitit 2024, bashkia prodhoi mbi 257 mijë tonë mbetje, duke shënuar nivelin më të lartë të gjenerimit të mbetjeve për frymë në vend dhe duke u pozicionuar gati 10 herë mbi mesataren e Bashkimit Europian.
Rekordi negativ i kryeqytetit
Sipas raportit të fundit të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, Tirana gjeneron 14.52 kg mbetje për frymë në ditë, ndërsa pas saj vjen Durrësi me 5.02 kg për frymë në ditë. Për krahasim, mesatarja europiane lëviz mes 1.3 deri në 1.8 kg/ditë. Diferenca është e frikshme.
Në vend të tretë renditet Fieri me 1.61 kg/ditë, i ndjekur nga Vlora me 1 kg/ditë. Bashkia me mbetjet më të pakta ishte Berati me vetëm 0.6 kg për frymë në ditë.
Tirana prodhon 30% të mbetjeve në rang kombëtar
E dhëna më tronditëse është se vetëm Tirana gjeneron 30% të mbetjeve në nivel kombëtar – rreth 258 mijë tonë në vit. Durrësi vjen pas me 67,564 tonë, ndërsa Vlora, Fieri dhe Shkodra kanë gjithashtu nivele të konsiderueshme.
Në total, në shkallë vendi, gjatë vitit 2024 u menaxhuan 870,883 tonë mbetje, një rritje krahasuar me vitin 2023, kur ishin menaxhuar 820,322 tonë.
Tre bashki urbane , Tirana, Fieri dhe Saranda raportojnë mbulim 100% të territorit me shërbim pastrimi. Por në të kundërt, bashki rurale si Fushë Arrëzi (22%), Hasi (35.2%) dhe Memaliaj (50%) kanë nivelin më të ulët të mbulimit.
Ndërkohë, vetëm 26 bashki kanë raportuar mbi menaxhimin e mbetjeve inerte. Saranda, Elbasani dhe Durrësi janë më problematiket për nga sasitë e larta të mbetjeve inerte, ndërsa Bashkia e Tiranës nuk ka raportuar fare mbi këtë kategori, duke lënë në hije një tjetër pjesë të errët të menaxhimit të plehrave.






