Një operacion policor i zhvilluar në Tiranë ka çuar në goditjen e një grupi të dyshuar për trafik dhe shitje armësh zjarri. Aksioni, i koduar “Rotondo”, u finalizua pas një hetimi rreth dy mujor të zhvilluar nga strukturat e Policisë së Tiranës në bashkëpunim me Prokurorinë.
Si rezultat i operacionit, u arrestuan në flagrancë dy persona të dyshuar për transportimin dhe tregtimin e armëve të zjarrit. Në pranga ranë shtetasit D. J., 31 vjeç, banues në Shkodër, dhe F. Gj., 22 vjeç, banues në fshatin Domje.
Sipas policisë, dy të rinjtë u ndaluan gjatë një kontrolli të kryer nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë. Automjeti tip “Volkswagen”, që drejtohej nga 22-vjeçari dhe ku udhëtonte si pasagjer 31-vjeçari, u ndalua për kontroll në zonën e njohur si “Rrethi i Freskut”.
Gjatë kontrollit në mjet, policia gjeti dhe sekuestroi 6 armë zjarri të tipit pistoletë “Sig Sauer”, të cilat dyshohet se ishin trafikuar nga Mali i Zi me qëllim shitjen në Tiranë, kryesisht në zonën e Freskut.
Përveç armëve, uniformat blu sekuestruan edhe automjetin me të cilin transportoheshin, si dhe katër telefona celularë që dyshohet se janë përdorur për komunikime në lidhje me aktivitetin kriminal.
Në vijim të hetimeve, autoritetet identifikuan edhe një person tjetër të dyshuar si bashkëpunëtor të të arrestuarve. Bëhet fjalë për shtetasin E. S., i cili është shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e tij.
Policia bëri me dije se hetimet vijojnë për të zbuluar nëse persona të tjerë janë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.






