Denoncim nga një ushtare në Zall-Herr: “Shkojmë në shërbim me uniforma të shqyera dhe këpucë të dëmtuara”

Një ushtare e Forcave Tokësore në Zall-Herr i është drejtuar redaksisë me një thirrje publike për Ministrinë e Mbrojtjes dhe institucionet përgjegjëse, duke ngritur shqetësime për mungesat në pajisje dhe kushtet e shërbimit.

Në mesazhin e saj anonim, ajo thekson se personeli i Forcave Tokësore është në gatishmëri 24 orë në ditë për qytetarët, duke përballuar shërbime në shi, borë, baltë dhe në situata emergjente. Megjithatë, sipas saj, shumë ushtarë përballen me mungesa serioze të pajisjeve bazë.

Ushtarja shprehet se në shumë raste personeli detyrohet të shkojë në shërbim me uniforma të dëmtuara dhe me këpucë të konsumuara, ndërsa disa prej tyre i blejnë vetë këpucët me paratë personale.

Një tjetër problem i ngritur në mesazh lidhet me mungesën e uniformave rezervë. Sipas saj, çdo ushtar duhet të ketë të paktën dy uniforma: një për stërvitje në terren dhe një tjetër për shërbim. Uniforma e përdorur në stërvitje shpesh laget nga shiu, balta dhe djersa dhe duhet larë, ndërsa në raste urgjente kërkohet paraqitje e menjëhershme në detyrë.

“Nëse na kërkohet të paraqitemi menjëherë në shërbim, si mund të shkojmë me uniformë të palarë apo të dëmtuar?”, thuhet në mesazhin e saj.

Ushtarja thekson se personeli i Forcave Tokësore është gjithmonë i gatshëm për të shërbyer për vendin dhe për qytetarët, por kërkon vetëm kushtet bazë për ta kryer detyrën me dinjitet.

Ajo shpreh shpresën që kjo thirrje të dëgjohet nga institucionet përgjegjëse dhe të merren masa për përmirësimin e kushteve dhe pajisjeve për ushtarët që shërbejnë në terren.